
Uran Ismaili: Pas 12 tetorit, vendimi i parë do të jetë hapja e sheshit “Xhorxh Bush”
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka refuzuar kërkesën e Komunës dhe ka ndaluar vazhdimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Ismaili e ka cilësuar këtë situatë si shembullin më të qartë të keqmenaxhimit të jashtëzakonshëm nga ana e kryetarit aktual të kryeqytetit, duke theksuar se qytetarët janë ata që po vuajnë pasojat.
“Konfliktet nëpër gjykata po i paguajmë ne qytetarët e Prishtinës. Që tri vite sheshi është i mbyllur pa plan dhe pa asnjë rrugë alternative,” ka thënë ai.
Në zotimin e tij të parë, kandidati i PDK-së premtoi se pas marrjes së besimit më 12 tetor, vendimi i parë i qeverisjes së tij do të jetë hapja e sheshit “Xhorxh Bush”.
“Unë do ta marr vendimin për hapjen e sheshit në javën e parë. Për këtë më duhet mbështetja juaj më 12 tetor. Mos rrini anash, ngritni zërin dhe organizohuni,” u shpreh Ismaili.
Ai shtoi se Prishtina nuk mund të përballojë më vite të tjera të bllokadave e improvizimeve dhe se, sipas tij, koha për ndryshim ka ardhur.

