Uran Ismaili nis seri të re videosh: “Vetëm 50% na duhen për fitore!”

Uran Ismaili nis seri të re videosh: “Vetëm 50% na duhen për fitore!”

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka nisur një seri të re komunikimi me qytetarët përmes videove, ku u përgjigjet pyetjeve dhe komenteve që i vijnë në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në platformat digjitale, Ismaili ka bërë të ditur se ky është një format i ri i bashkëbisedimit me qytetarët, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të dërgojnë pyetje dhe komente.

“Nga sot, kam nisur një formë të re bashkëbisedimi, duke u përgjigjur në disa prej komenteve dhe pyetjeve tuaja në rrjetet sociale! Vazhdoni të na shkruani, dhe herën tjetër do të përgjigjem në pyetje dhe tema të tjera!”, shkroi Ismaili.

Një prej komenteve që ai zgjodhi të adresojë ishte nga një qytetar i cili shkruante:

“Veç je në parti të gabuar, nuk të dhez në Prishtinë kjo parti. Përndryshe 80% të votave i kishe marrë, edhe i pavarur me qenë, prapë kishe fitu.”

Ismaili u përgjigj me një dozë humori, duke theksuar se:

“80% janë pak si shumë, krejt çka na duhet janë vetëm 50%.”

Përmes këtij formati të ri, Uran Ismaili po synon të afrojë më shumë qytetarët me platformën e tij politike dhe të ofrojë transparencë në komunikim, veçanërisht në periudhën para-zgjedhore.

Share This