Rubio kritika në fjalimin e Mynihut: SHBA kërkon një Europë të fortë

Rubio kritika në fjalimin e Mynihut: SHBA kërkon një Europë të fortë

Në fjalimin që mbajti në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, Sekretari Amerikan i Shtetit u përpoq të qetësonte aleatët evropianë, si dhe t’i siguronte ata për lidhjet me SHBA-në, që do të vijojnë të jenë të forta në të ardhmen, por ndërkohë vuri në dukje se Uashingtoni dëshironte të rivitalizonte aleancën transatlantike.

“Nuk duam të ndahemi, por të rivitalizojmë një miqësi të vjetër dhe të rinovojmë civilizimin më të madh në historinë njerëzore. Fati ynë është dhe do të jetë gjithmonë i ndërlidhur me tuajin, pasi e dimë që fati i Evropës nuk do të jetë kurrë i parëndësishëm për sigurinë tonë kombëtare”, tha ai.

Ndërsa theksoi se Evropa dhe Uashingtoni i përkasin njëri-tjetrit dhe se nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, SHBA synonte përtëritjen dhe rindërtimin e globit, Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se SHBA dëshironte që Evropa të ishte e fortë, në mënyrë që të mbronte veten.

“Nuk duam aleatë që janë të dobët. Duam një Evropë që mund të mbrojë veten, në mënyrë që asnjë armik yni të mos tundohet ndonjëherë të vërë në provë fuqinë tonë kolektive”, u shpreh Marco Rubio.

Për sa i përket luftës në Ukrainë, çështje për të cilën u pyet nga gazetarët, sekretari amerikan i Shtetit u shpreh se administrata Trump do të vijonte përpjekjet për arritjen e paqes në vendin në luftë me Rusinë, por ndërkohë nënvizoi se nuk e dinte nëse Rusia ishte serioze për sa i përket dhënies fund të luftës.

Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut fjalim mbajti edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i cili u prit me duartrokitje dhe ovacione në sallë.

Në fjalën e tij, Zelenski u shpreh skeptik se Putin mund të hiqte dorë nga lufta.

“Asnjë ukrainas nuk e beson se Putin do t’i lërë njerëzit të shkojnë, por ai nuk do t’i lërë as kombet evropiane të qeta, sepse nuk mund të heqë dorë nga ideja e luftës. Veten e sheh si car, por në të vërtetë është skllav i luftës”, tha Zelenski. /RTSH/

Share This