
Uran Ismaili në Dardani: Më 12 tetor fillon epoka e re e ndryshimit për Prishtinën
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka mbajtur sonte një takim me qindra qytetarë të lagjes Dardania, një prej zonave më të mëdha dhe më ikonike të kryeqytetit, për të cilën tha se është lënë në harresë nga qeverisjet e kaluara.
Në fjalën e tij, Ismaili u zotua se Dardania do të marrë më në fund vëmendjen dhe investimet që meriton, pas dy dekadave të premtimeve të pambajtura.
“Dardania është simbol i një Prishtine ikonike, por për 20 vite është lënë në hije. Vizitohet vetëm në fushata, por harrohet sapo mbyllen kutitë e votimit. Kjo do të ndryshojë më 12 tetor. Nga dita e parë do të fillojmë punën për të sjellë ndryshime konkrete dhe të prekshme për këtë lagje,” tha Ismaili.
Ai kritikoi qeverisjet e kaluara dhe aktuale për mungesë vizioni dhe rezultate të prekshme, duke theksuar problemet e shumta me të cilat përballet kjo lagje.
“Dardania përballet çdo ditë me probleme që nuk kanë marrë zgjidhje – rrugë dhe trotuare të dëmtuara, mungesë të mirëmbajtjes së hapësirave publike, ndriçim të pamjaftueshëm, trafik të dendur dhe mungesë investimesh moderne në infrastrukturë. Këto janë çështje që do t’i zgjidhim me prioritet,” u shpreh ai.
Ismaili paraqiti zotimin e tij për një qeverisje që do të nisë menjëherë me punë konkrete dhe rezultate të matshme.
“Do të kthehem rregullisht në Dardani për të parë përmbushjen e zotimeve tona. Puna do të nisë menjëherë, me rezultate të dukshme dhe të matshme – jo projekte të largëta që nuk realizohen kurrë,” deklaroi ai.
Në fund, kandidati i PDK-së dha një premtim të fortë për qytetarët e Dardanisë dhe të Prishtinës:
“Nëse nuk përmbush të paktën 90% të zotimeve të mia, nuk do të kërkoj më votën tuaj. Dardania nuk do të jetë më vetëm premtim elektoral. Më 12 tetor fillon një epokë e re ndryshimi – për këtë lagje dhe për gjithë Prishtinën.”


