
Demokratët arrijnë shumicë historike në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, më e larta që nga 1992
Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë arritur një fitore historike në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve, duke siguruar të paktën 258 nga 435 vendet, rezultati më i lartë për partinë që nga viti 1992.
Fitorja u konfirmua të dielën, pasi demokrati Chuck Hubbard mposhti përfaqësuesen republikane Virginia Foxx në Karolinën e Veriut. Deri tani, demokratët kanë fituar 44 vende më shumë, duke tejkaluar rezultatin prej 40 vendesh që kishin siguruar në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.
Katër gara të tjera mbeten ende të pazgjidhura, një në Minnesota, një në Tennessee dhe dy në Louisiana, të cilat do të shkojnë në balotazh në dhjetor. Ndërkohë, republikanët kanë siguruar të paktën 173 vende.
Rezultati shënon një ndryshim të rëndësishëm në balancën politike në Uashington. Demokratët do të kontrollojnë si Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senatin, ku kanë siguruar 56 vende, ndërsa në Shtëpinë e Bardhë do të vijojë të qëndrojë presidenti republikan Donald Trump.
Me marrjen e kontrollit të Kongresit në janar, demokratët po përgatisin një agjendë 100-ditore, ku në fokus do të jenë ulja e kostos së jetesës, rikthimi i disa lehtësive tatimore dhe anulimi i shkurtimeve të financimit për programin shëndetësor Medicaid.
Nga ana tjetër, republikanët kanë pësuar një rënie të ndjeshme të përfaqësimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Ligjvënësi Jim Jordan, i zgjedhur si udhëheqës i republikanëve në pakicë, deklaroi se partia do të punojë për të rikthyer mbështetjen dhe pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. /rtsh/

