Uran Ismaili: Ideali i PDK-së dhe kandidatura e Bedri Hamzës, garanci për shërbim ndaj qytetarëve

Uran Ismaili: Ideali i PDK-së dhe kandidatura e Bedri Hamzës, garanci për shërbim ndaj qytetarëve

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe i dyti në listën zgjedhore për 28 dhjetor, Uran Ismaili, ka mbajtur fjalim në tubimin përmbyllës të partisë në Prishtinë, ku theksi kryesor u vendos te ideali politik i PDK-së dhe kandidatura e Bedri Hamzës për kryeministër.

Ismaili ka deklaruar se angazhimi politik nuk buron nga interesa personale, por nga ideali për shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve.

“Me shtyn ideali. Besimi se ka diçka më të madhe se vetja jonë, për të cilën ia vlen të sakrifikosh”, u shpreh ai gjatë fjalimit.

Ai ka theksuar se ideali i PDK-së lidhet ngushtë me vlerat e dalura nga lufta çlirimtare dhe sakrificën për liri, duke shtuar se këto vlera duhet të përkthehen sot në qeverisje me përgjegjësi, solidaritet dhe bashkim shoqëror.

Duke folur për kandidatin për kryeministër, Ismaili ka theksuar se Bedri Hamza përfaqëson mishërimin e këtij ideali në praktikë, përmes një karriere të gjatë në shërbim publik dhe rezultateve konkrete në çdo pozitë që ka ushtruar.

“Bedri Hamza për 25 vjet shërbim publik e ka jetësuar idealin për Kosovën përmes veprave. Është figurë unifikuese, e respektuar nga i gjithë spektri politik dhe publik”, ka thënë Ismaili.

Ai ka shtuar se në një kohë përçarjesh dhe polarizimi politik, Hamza ka ditur të qëndrojë mbi ndasitë, duke e parë qeverisjen si mjet për t’u shërbyer familjeve dhe ekonomisë së Kosovës.

Ismaili ka bërë të ditur se PDK hyn në këto zgjedhje me synimin për ta çuar Kosovën përpara me zhvillim, mirëqenie dhe stabilitet për çdo qytetar, pa dallim bindjeje politike.

Në përmbyllje, ai ka ftuar qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës dhe slogan-it të PDK-së: “Bashkë. Përpara.”

Share This