
Tudor afër largimit nga Tottenham, rikthehet Pochettino?
Mediat britanike kanë kritikuar ashpër trajnerin e Tottenham Hotspur, Igor Tudor, pas humbjes së rëndë ndaj Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve.
Skuadra londineze u mposht 5-2 në stadiumin “Civitas Metropolitano”, duke regjistruar humbjen e katërt në po aq ndeshje që prej momentit kur tekniku kroat mori drejtimin e ekipit pas largimit të Thomas Frank.
Sipas britanike, përfshirë “BBC”, periudha e Tudor në stolin e Tottenham po konsiderohet një eksperiment i dështuar.
Përveç rezultatit të rëndë, shumë kritika ka marrë edhe vendimi i trajnerit për të zëvendësuar portierin titullar Guglielmo Vicario me portierin e ri Antonin Kinsky. Ky i fundit u largua nga fusha pas vetëm 17 minutash lojë, pas disa gabimeve që ndikuan në rrjedhën e ndeshjes.
I pyetur nga gazetarët nëse e meriton të vazhdojë në këtë detyrë, Tudor u përgjigj shkurt me “no comment”.
Në vetëm 26 ditë në krye të Tottenham, skuadra që po lufton për të shmangur rënien nga liga nuk ka shfaqur përmirësim as në lojë dhe as në rezultate.
Për këtë arsye, mediat britanike kanë filluar të përmendin mundësinë e rikthimit të ish-trajnerit të klubit, Mauricio Pochettino. Argjentinasi ishte i pranishëm në tribunat e stadiumit në Madrid për të ndjekur nga afër ndeshjen ndaj Atletico.
Ndërkohë, një tjetër emër që po përmendet si alternativë për stolin e Tottenham është ai i Thiago Motta, trajner që aktualisht është nën kontratë me Juventus.


