Përleshjet vdekjeprurëse- Tajlanda dhe Kamboxhia takohen sot për bisedime në Malajzi

Përleshjet vdekjeprurëse- Tajlanda dhe Kamboxhia takohen sot për bisedime në Malajzi

Pas disa ditësh përleshje vdekjeprurëse, Kamboxhia dhe Tajlanda do të zhvillojnë këtë të hënë bisedime paqeje.

Kryeministri kamboxhian Hun Manet konfirmoi se do të marrë pjesë në takimin në Kuala Lumpur, të cilin ai tha se ishte bashkëorganizuar nga SHBA-të, me pjesëmarrjen e Kinës.

Ndërkaq qeveria tajlandeze bëri me dije se kryeministri në detyrë Phumtham Wechayachai do të marrë pjesë gjithashtu në takim dhe është i gatshëm të dëgjojë të gjitha propozimet që mund të kontribuojnë në rivendosjen e paqes.

“Qeveria tajlandeze mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të kombit. Çdo centimetër katror të tij”, tha zëdhënësi i qeverisë së Tajlandës, Jirayu Houngsub, duke shtuar se vendi nuk do të negociojë se cilat harta do të përdoren gjatë negociatave të armëpushimit.

Takimi do të zhvillohet në orën 15:00 sipas orës lokale në Zyrën e Kryeministrit në Kuala Lumpur.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për fillimin e përshkallëzimit të fundit në kufi dhe kanë shkëmbyer përgjegjësi për luftimet e vazhdueshme që kanë vazhduar pavarësisht thirrjeve nga Kombet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera globale që luftimet të ndalen. Mosmarrëveshja për kufirin e tyre daton prej dekadash.

Të paktën 35 persona janë vrarë, mbi 200 të plagosur dhe më shumë se 200,000 persona janë zhvendosur që nga shpërthimi i luftimeve të enjten.

Shpresat për paqe tani janë përqendruar në faktin nëse bisedimet e ardhshme në Malajzi do të sjellin një përparim. /rtsh/

Share This