
Trumpi çek pas një fitoreje bindëse: “Ne duam ta shpëtojmë Evropën”
Partia ANO e populistit dhe miliarderit Andrej Babish, i quajtur Trumpi çek, korri një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare çeke të shtunën, duke e afruar vendin me një qeveri që do të mbështesë bllokun populist dhe anti-emigrant të Evropës dhe do të shkurtojë ndihmën për Ukrainën.
Babish i gëzuar u tha mbështetësve se ANO do të përpiqet të formojë një qeveri njëpartiake, por se do të bisedojë me dy parti më të vogla, përfshirë SPD-në e ekstremit të djathtë, sepse partia e tij nuk do të ketë shumicën, transmeton Ballkani.info.
Ai hodhi poshtë akuzat se fitorja e tij do ta bënte vendin e Evropës Qendrore një partner më pak të besueshëm për Bashkimin Evropian dhe aleancën e NATO-s.
“Ne duam ta shpëtojmë Evropën dhe jemi padyshim pro-evropianë dhe pro-NATO-s,” u tha ai gazetarëve.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, ANO duhet të zëvendësojë qeverinë aktuale të qendrës së djathtë të kryeministrit Petr Fiala. Fiala e uroi Babishin dhe pranoi humbjen.
Gjatë fushatës, ANO premtoi rritje më të shpejtë, paga dhe pensione më të larta, taksa dhe lehtësime tatimore më të ulëta për studentët dhe familjet e reja.
Këto premtime, të cilat do të kushtojnë miliarda euro, do t’i japin fund politikës së kursimit dhe do të vënë në provë maturinë fiskale të vendit, u bënë jehonë shumë çekëve, të ardhurat e të cilëve kanë qenë në rënie vitet e fundit për shkak të inflacionit të lartë.

