
Vinicius shënon dopietë, Reali mposht Villarrealin dhe rikthehet në krye të La Ligës
Real Madrid ka regjistruar fitoren e tetë radhazi në shtëpi në La Liga dhe është rikthyer në krye të tabelës pas triumfit 3-1 ndaj Villarrealit në “Santiago Bernabeu”.
Skuadra e Xabi Alonso-s kërkonte të rikthehej te fitorja pas humbjes në derbin me Atletico Madridin, dhe që nga fillimi tregoi vendosmëri për ta marrë ndeshjen në kontroll. Arda Guler, Aurelien Tchouameni dhe Franco Mastantuono patën rastet e para të mira, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.
Portieri Thibaut Courtois mbajti gjallë Realin me një ndërhyrje vendimtare ndaj Tani Oluwaseyi, ndërsa pjesa e parë u mbyll pa gola, me madrilenët që dominuan në çdo aspekt.
Vetëm dy minuta pas rifillimit, Vinicius Junior zhbllokoi rezultatin me një goditje të devijuar nga Santi Comesaña, që përfundoi në rrjetë. Braziliani nuk u ndal me kaq — në minutën e 55-të ai fitoi një penallti, të cilën e ekzekutoi vetë, duke shënuar dopietën e tij dhe golin e katërt në katër përballje të fundit ndaj Villarrealit.
Pavarësisht dominimit, “Los Blancos” u tronditën për pak çaste kur Georges Mikautadze shkurtoi diferencën me një goditje të fortë në portën e Courtois, por shpresat e mysafirëve u shuan shpejt pasi Santiago Mouriño u përjashtua me karton të kuq për ndërhyrje ndaj Viníciusit.
Në minutën e 81-të, Kylian Mbappe vulosi fitoren me një gol të bukur pas kombinimit me Brahim Díaz, duke shënuar golën e 14-të në 10 ndeshje këtë sezon.
Me këtë fitore, Real Madridi zgjeron serinë pozitive kundër Villarrealit në pesë ndeshje pa humbje (4 fitore, 1 barazim), ndërsa skuadra e Marcelinos sheh t’i ndërpritet seria prej tre fitoresh radhazi në kampionat.


