
Trump shqyrton sulmin ndaj Iranit, ndërsa Teherani paralajmëron draft-marrëveshjen së shpejti
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se po shqyrton mundësinë e një sulmi të kufizuar ndaj Iranit, pas urdhrit për një dislokim të madh të forcave detare amerikane në Lindjen e Mesme.
Ky presion ushtarak synon ta detyrojë Teheranin të pranojë një marrëveshje për kufizimin e programit të tij bërthamor.
Kërcënimi i fundit erdhi pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se një draft propozimi për marrëveshje me Uashingtonin pritet të jetë gati brenda pak ditësh, pas raundit të bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë. Araghchi theksoi se drafti do t’i dorëzohej kryenegociatorit amerikan, Steve Witkoff, pasi të miratohej nga autoritetet iraniane.
Trump, i pyetur nga gazetarët nëse po mendonte një sulm të kufizuar, u përgjigj: “Më e shumta që mund të them — po e konsideroj.” Ai kishte paralajmëruar më herët se “gjëra të këqija” do të ndodhnin nëse Teherani nuk pranonte një marrëveshje brenda afatit të vendosur, të cilin e zgjati nga 10 në 15 ditë.
Ndërkohë, Araghchi mohoi se SHBA ka kërkuar ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit, duke theksuar se bisedimet fokusohen në sigurimin që programi bërthamor i Iranit të mbetet paqësor. Kjo bie ndesh me deklaratat e Trump dhe zyrtarëve amerikanë, të cilët kanë insistuar se Irani nuk duhet të lejohet të pasurojë uranium në asnjë nivel.
Teherani kërkon heqjen e sanksioneve ekonomike, të cilat kanë rënduar ndjeshëm ekonominë dhe kanë nxitur protesta të gjera që kulmuan me një lëvizje mbarëkombëtare antiqeveritare muajin e kaluar.
Bisedimet mes dy vendeve nisën më 6 shkurt në Oman, pas dështimit të raundit të mëparshëm gjatë konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit, ku SHBA ndërhyri duke goditur objektet bërthamore iraniane. Paralelisht me negociatat, Uashingtoni ka dislokuar një forcë të madhe detare në rajon, përfshirë aeroplanmbajtëset USS Abraham Lincoln dhe USS Gerald Ford, ndërsa Irani ka zhvilluar stërvitje ushtarake në Gjirin Persik dhe në ngushticën strategjike të Hormuzit.
Ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, paralajmëroi se bazat dhe asetet amerikane do të ishin “objektiva legjitime” nëse SHBA do të ndërmerrte sulme. Megjithatë, Araghchi këmbënguli se “nuk ka ultimatum” dhe se të dyja palët janë të interesuara për një marrëveshje të shpejtë. /rtsh/


