Trump me shefin e NATO-s: Putin ka 50 ditë kohë, ndryshe do ndëshkohet. Ukraina do furnizohet me armë

Trump me shefin e NATO-s: Putin ka 50 ditë kohë, ndryshe do ndëshkohet. Ukraina do furnizohet me armë

Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA do ta ndëshkojë Rusinë me tarifa nëse nuk arrihet marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 50 ditëve.

Këtë deklaratë Trump e bëri gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, teksa më herë kishte shprehur zhgënjimin e tij me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Ne do të vendosim tarifa shumë të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditëve, ” tha presidenti amerikan, ndërsa shtoi se ato do të jenë “tarifa sekondare, ” që do të thotë se ata do të godasin partnerët tregtarë të Rusisë në një përpjekje për të izoluar Moskën në ekonominë globale.

Përveç kërcënimit tarifor, Trump dhe Rutte diskutuan për ndihmën ndaj Ukrainës me armë teksa aleatët evropianë planifikojnë të blejnë pajisje ushtarake dhe më pas t’i transferojnë ato në Ukrainë. Për këtë çështje Trump tha se do të ketë miliarda dollarë në dispozicion.

Nga ana e tij, Rutte tha se Gjermania, Finlanda, Kanada, Norvegjia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka do të jenë ndër blerësit kryesorë të armëve për të furnizuar Ukrainën.

Ai tha se shpejtësia “është thelbësore këtu, ” dhe se dërgesat duhet ta bëjnë Putinin “të rishqyrtojë ” negociatat e paqes.

Trump irritohet me Putinin

Trump ka vlerësuar prej kohësh për marrëdhëniet e tij miqësore me Putinin, dhe pasi mori detyrën në janar në mënyrë të përsëritur tha se Rusia ishte më e gatshme se Ukraina për të arritur një marrëveshje paqeje.

Në të njëjtën kohë, Trump akuzoi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për zgjatjen e luftës dhe e quajti atë një diktator. Por sulmi i pamëshirshëm i Rusisë kundër zonave civile të Ukrainës sosi durimin e Trumpit.

Në prill, Trump i kërkoi Putinit të ndalojë menjëherë sulmet vdekjeprurëse në Kiev, dhe muajin tjetër tha se udhëheqësi rus “është çmendur totalisht” ndërsa bombardimet vazhduan.

“Thjesht vazhdon dhe vazhdon të sulmojë çdo natë, dhe njerëzit po vdesin”, shkroi Trump.

Ndërkohë, i dërguari special i Trump në Ukrainë dhe Rusi, Keith Kellogg, u takua me Zelensky në Kiev të hënën. Nga ana e tij, Zelensky tha se ai kishte pasur “një bisedë produktive ” me Kellogg në lidhje me forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin e armëve të përbashkëta dhe blerjen e armëve amerikane në bashkëpunim me vendet evropiane, si dhe mundësinë e sanksioneve më të forta ndërkombëtare mbi Kremlin.

“Shpresojmë për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, sepse është e qartë se Moska nuk do të ndalet nëse … ambiciet e saj ndalen vetëm me forcë”, shkroi Zelensky në ‘Telegram’. /rtsh/

Share This