
Trump konfirmon se do të jetë i pranishëm në finalen e Botërorit të Klubeve
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në finalen e Botërorit të Klubeve, që do të zhvillohet të dielën në “MetLife Stadium” të East Rutherford, në New Jersey.
Lajmi është raportuar nga ESPN, që citon deklaratën e Trump gjatë një mbledhjeje me kabinetin e tij, “Do të shkoj në ndeshje”, ka thënë ai duke iu përgjigjur gazetarëve. Njoftimi i Trump vjen vetëm disa orë pasi FIFA bëri të ditur hapjen e një zyre përfaqësuese në “Trump Tower” në Manhattan.
Pikërisht aty, deri të dielën, do të qëndrojë e ekspozuar edhe trofeu i Botërorit të Klubeve. Finalja e madhe do të luhet mes Chelseat dhe fitueses së përballjes Real Madrid- PSG, që zhvillohet sonte.
Ky eveniment shihet si një provë gjenerale për organizimin e Kupës së Botës për Kombëtare, që do të mbahet vitin e ardhshëm në ShBA, Kanada dhe Meksikë. Pjesëmarrja e Trump në finalen e së dielës pritet të tërheqë shumë vëmendje, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë politik.


