Trump: Anuloni gjyqin ndaj Netanyahut, pasi askush nuk ka bërë kaq shumë për vendin e tij

Trump: Anuloni gjyqin ndaj Netanyahut, pasi askush nuk ka bërë kaq shumë për vendin e tij

Gjyqi i kryeministrit izraelit, Benyamin  Netanyahut duhet të anulohet menjëherë ose një hero i madh që ka bërë kaq shumë për vendin e tij duhet të falet, shkroi presidenti amerikan Donald Trump në Truth Social në lidhje me gjyqin për korrupsion kundër kryeministrit izraelit.

“Nuk njoh askënd që mund të kishte punuar në harmoni më të mirë me presidentin e Shteteve të Bashkuara sesa Bibi Netanyahu. Ishte SHBA-ja që shpëtoi Izraelin dhe tani do të jetë SHBA-ja që do ta shpëtojë Bibi Netanyahun. Nuk mund ta lejojmë këtë paradoks drejtësie”, këmbënguli Trump.

“U trondita kur mësova se Izraeli, i cili sapo ka përjetuar një nga momentet e tij më të mëdha në histori dhe udhëhiqet me forcë nga Bibi Netanyahu, po vazhdon gjuetinë e tij absurde të shtrigave kundër kryeministrit të tij! Unë dhe Bibi sapo kemi kaluar ferrin së bashku duke luftuar një armik të paepur dhe të hershëm të Izraelit: Iranin”, theksoi ai.

”Bibi nuk mund të kishte qenë më i mirë, më i mprehtë ose më i fuqishëm në dashurinë e tij për Tokën e Shenjtë. Bibi Netanyahu ishte një luftëtar si ndoshta asnjë luftëtar tjetër në historinë e Izraelit, dhe rezultati ishte diçka që askush nuk e kishte menduar ndonjëherë të mundur: eliminimi i plotë i një prej armëve bërthamore potencialisht më të mëdha dhe më të fuqishme në botë”, vazhdoi Trump.

”Ne po luftonim, fjalë për fjalë, për mbijetesën e Izraelit, dhe nuk ka askush në historinë e Izraelit që të ketë luftuar më fort ose më me kompetencë se Bibi Netanyahu. Pavarësisht të gjithave këtyre, sapo mësova se ai është thirrur në gjykatë të hënën për vazhdimin e këtij gjyqi të gjatë – një shfaqje horror që nga maji i vitit 2020”, sulmoi presidenti amerikan.

”Një gjueti e tillë shtrigash, për një njeri që ka dhënë kaq shumë, është e paimagjinueshme për mua”, theksoi Trump, duke përdorur një frazë që ai përdorte për t’iu referuar gjyqeve të tij. / atsh/

Share This