Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, dy të arrestuar në Durrës

Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, dy të arrestuar në Durrës

Finalizohet operacioni i koduar “Hallkat”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Durrësit, në kuadër të një hetimi për trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre te grupe kriminale.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë dy persona. Në pranga ka rënë shtetasi M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, i dyshuar për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, është arrestuar D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, e dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, pas një pune hetimore dhe operative për identifikimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve.

“Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata lëviznin në Maminas, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta) dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova”, bëri të ditur Polic”, raporton rtk.

Në vijim të kontrolleve, në banesën e 34-vjeçarit u gjet edhe një armë e ftohtë, dorezë hekuri, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Sipas autoriteteve, hetimet vijojnë me synim identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

“Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 pistoleta, 34 fishekë luftarakë, një automjet dhe një armë e ftohtë.

Share This