
Tottenham, Xavi Simons: Vendi i duhur për mua
Tottenham ka bërë një lëvizje të madhe në tregun e transferimeve, duke siguruar Xavi Simons nga Red Bull Leipzig. Marrëveshja, me vlerë totale 51 milionë stërlina(gati 60 milionë euro), sjell në Londër një nga talentet më të shkëlqyera në futbollin evropian, i ndjekur prej kohësh nga Chelsea, por në fund u transferua te Spurs pas një marrëveshjeje të shpejtë që përmbysi hierarkinë e transferimeve.
Xavi Simons do të veshë fanellën me numrin shtatë dhe, në një intervistë me kanalet zyrtare të Tottenhamit, zbuloi se një takim me trajnerin Thomas Frank ishte momenti kur ai e kuptoi se Spurs ishin “vendi i duhur” për hapin e tij të ardhshëm në karrierë. Dhe kështu, në fund, ndodhi.
Lojtari holandez tha në një intervistë: “Jam vërtet i lumtur dhe mezi pres të filloj. Kam ëndërruar për këtë për një kohë të gjatë. Ky është një klub i shkëlqyer dhe kur takova trajnerin, menjëherë e dija se ky ishte vendi i duhur për mua. Do t’i sjell përvojën time ekipit, duke përfshirë punën e palodhur dhe disiplinën. Dua të bëj gjithçka që mundem për të fituar, për ekipin dhe për tifozët”.


