Tirana ringjallet në derbi, fundos Partizanin

Tirana ringjallet në derbi, fundos Partizanin

Derbi i shumëpritur i kryeqytetit u mbyll me fitoren 3-0 të Tiranës. Një sukses plotësisht i merituar i bardhebluve përballë Partizanit që nuk rrezikoi asnjëherë. Për skuadrën e Bordin është fitorja e parë, ndërsa të kuqtë pësojnë humbjen e katërt radhazi.

Derbi ishte shkëndija që rindezi Tiranën, e cila arriti një fitore të pastër 3-0 kundër Partizanit në ndeshjen e parë të javës së gjashtë të kampionatit. Është fitorja e parë këtë sezon e bardhebluve, të cilët dhanë sinjale pozitive që në pjesën e dytë të ndeshjes së humbur me Dinamon. Partizani ndërkaq zhytet në krizë të thellë, me humbjen e katërt radhazi, ndërsa fitoren e vetme e ka arritur në javën e parë, kundër Vorës.

Në Arenën Kombëtare në Tiranë, dy skuadrat e nisën me mjaft dëshirë, me Partizanin që e luajti më tepër fillimisht topin, por pa aksione të rrezikshme. Episodi i parë vjen në minutën e 19-të dhe është gol. Pas një krosimi nga e djathta në zonën e Partizanit, portieri Hoxha bën një dalje të nxituar dhe Falaje me kokë shënon në portën e boshatisur. Reagimi i të kuqve është i dobët, ndërsa Tirana e galvanizuar luan me shpejtësi në kërkim të golit të dytë.

Në minutën e 29-të, Fernandez hyn në zonë por aty humbet kontrollin e topit që shkon te Patsatsia, dhe Marku, në përpjekje për t’ia marrë, godet këmbën e gjeorgjianit dhe gjyqtri Hamiti akordon menjëherë penallti.

Pas dy minutash mes verifikimit e protestave, Patsatsia merr përsiër ekzekutimin dhe tund rrjetën e Hoxhës. Ky i fundit, bashkë me Preka, largohen të dëmtuar me fillimin e pjesës së dytë, duke u lënë vendin Qirkos e Bytyçit, në dy zëvendësime të detyruara për të kuqtë.

Tirana rrezikon menjëherë me Fernandez, por Qirko del shpejt dhe i bllokon gjuajtjen. Partizani nuk rrezikon asnjëherë, ndërsa në minutën e 59-të Tirana ka edhe një herë mundësinë për golin e tretë, por sërish Qirko i mbyll portën Voglit, që më pas e humbet topin.

Në të 69-tën, Da Silva rrotullohet dhe gjuan drejt portës bardheblu, por pret Tafas i vëmendshëm. Pesë minuta më pas, Tabekou hyn në zonë nga e majta dhe harkon me të djathtën drejt shtyllës së largët, duke mposhtur Qirkon. Aty loja merr fund, me fitore të merituar për Tiranën, ashtu siç është edhe humbja për Partizanin, totalisht i çorganizuar e pa ide.

Share This