
Putin: Perëndimi po përpiqet të nxisë revolucion me ngjyra në Serbi
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se shërbimet e inteligjencës ruse kanë konfirmuar raportet se vende perëndimore po përpiqen të organizojnë një revolucion me ngjyra në Serbi, duke paralajmëruar se ata që nxisin të rinjtë të dalin në rrugë synojnë të shkaktojnë vuajtje të reja për popullin serb.
Presindeti rus tha se po mashtrohet presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ndërsa shërbimet sekrete ruse kanë informacion se disa qendra perëndimore po përpiqen të nxisin trazira në Serbi përmes metodave të njohura si revolucionet me ngjyra.
Ai theksoi se zakonisht këto forma të ndryshimit të pushtetit janë të paligjshme dhe jokushtetuese, duke kujtuar si shembull Ukrainën dhe pasojat e revolucionit atje, që sipas tij nuk sollën asgjë të mirë për popullin ukrainas.
Putin vuri në dukje se është gjithmonë më e lehtë të ndikosh tek të rinjtë, të cilët shpesh nuk kanë njohuri të plota për historinë dhe pasojat e veprimeve politike, por shtoi se të rinjtë serbë që protestojnë janë në thelb patriotë, ndaj është e rëndësishme që të ketë dialog me ta dhe ata të mos harrojnë vuajtjet që ka kaluar populli serb gjatë historisë, sidomos gjatë dy luftërave botërore.
Sipas tij, ata që i nxisin të rinjtë të dalin në rrugë nuk e thonë hapur, por duan që Serbia të vazhdojë të vuajë. Megjithatë, ai theksoi se kjo është një çështje e brendshme e Serbisë, jo e Rusisë, dhe se ai gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Vuçiq, shkruajnë mediat në Serbi.
Putin tha se Rusia është mirënjohëse ndaj vendeve të ashtuquajtura të “shumicës botërore”, që sipas tij po përpiqen me sinqeritet të ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke përmendur mes tyre Serbinë, Hungarinë dhe Sllovakinë në Evropë, si dhe vendet e BRICS, ato të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, aleatët në botën arabe, Iranin dhe Korenë e Veriut.
Ai fajësoi për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë të ashtuquajturën “pakicë botërore”, përfshirë administratën e mëparshme amerikane dhe udhëheqësit aktualë në Bruksel, të cilët, sipas tij, veprojnë në shërbim të interesave të globalizmit.
Putin deklaroi se për Perëndimin, ukrainasit janë vetëm mall konsumues dhe shtoi se i vjen keq për popullin ukrainas.


