
Tetë vjet pa Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare
Sot shënohen tetë vjet nga ndarja nga jeta e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur gjerësisht si “Mandela i Kosovës”.
Adem Demaçi, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, u lind më 26 shkurt të vitit 1936 në Prishtinë. Ai ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2018, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë politike dhe kombëtare të shqiptarëve.
Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Demaçi u angazhua për të drejtat dhe barazinë e Kosovës me republikat e tjera, duke u bërë një nga figurat më të njohura të rezistencës kombëtare. Për shkak të veprimtarisë së tij politike, ai kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë, por pas lirimit vazhdoi angazhimin e tij për çështjen kombëtare.
Për qëndresën dhe kontributin e tij, Adem Demaçi u cilësua edhe si “Nelson Mandela i Evropës”. Ai drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri më 1995, ndërsa në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë viteve 1998-1999, në periudhën e takimeve të Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, Demaçi ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Po ashtu, ai shërbeu si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës gjatë viteve 2005-2007.
Emri i Adem Demaçit mbetet i lidhur me rezistencën, përkushtimin dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Për më shumë se pesë dekada, veprimtaria dhe vepra e tij e shndërruan atë në një simbol të qëndresës dhe bashkimit kombëtar.
Përveç angazhimit politik, Demaçi ishte edhe shkrimtar. Ai shkroi romanin “Gjarpërinjtë e Gjakut”, një vepër që u ndalua nga regjimi i atëhershëm komunist dhe u botua vetëm pas viteve ’90.
Adem Demaçi u nda nga jeta pasditen e 26 korrikut 2018. Në nderim të figurës së tij, në Kosovë u organizuan aktivitete shtetërore dhe u shpallën tri ditë zie. /rtk/

