
Termokos mbyll sezonin ngrohës pas 191 ditësh furnizimi të pandërprerë
Ndërmarrja publike Termokos ka njoftuar për përmbylljen zyrtare të sezonit ngrohës 2025/2026, pas 191 ditësh furnizimi të vazhdueshëm me ngrohje për mbi 25 mijë konsumatorë në kryeqytet.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, vendimi për përfundimin e sezonit është marrë në përputhje me rregulloret e ZRRE-së, duke u bazuar edhe në parashikimet meteorologjike për ditët në vijim.
Ky sezon, sipas Termokos, renditet ndër më të gjatët dhe më të suksesshmit në historinë e ndërmarrjes. Furnizimi me ngrohje ka nisur tetë ditë më herët se zakonisht, duke siguruar kushte më të mira për konsumatorët që në fillim të periudhës së ftohtë.
Gjatë këtij sezoni janë prodhuar gjithsej 338,902 MWh energji termike, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor. Ndërmarrja thekson se, falë përmirësimit të shërbimeve dhe aplikimit të faturimit sipas konsumit real, mbi 60 për qind e konsumatorëve kanë paguar më pak.
Po ashtu, është shënuar një rënie e ndjeshme e ankesave, me rreth 70 për qind më pak krahasuar me sezonin e kaluar, çka sipas Termokos reflekton rritjen e cilësisë së shërbimit.
Nga kjo ndërmarrje bëhet e ditur se këto rezultate janë arritur përmes menaxhimit efikas dhe angazhimit të stafit, ndërsa paralajmërohet vazhdimi i investimeve për zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve në të ardhmen.


