
Analiza e “The Guardian”: Evropa përballë një supercikli zgjedhor, rritja e së djathtës nacionaliste rrezikon të tronditë themelet e BE-së
Evropa po hyn në një periudhë vendimtare zgjedhore, e cila mund të ndryshojë ndjeshëm balancat politike në kontinent dhe të vërë në provë të ardhmen e Bashkimit Evropian. Gjatë muajve të ardhshëm, zgjedhjet në disa prej shteteve më të mëdha anëtare pritet të përcaktojnë nëse partitë tradicionale do të ruajnë pushtetin apo nëse vala nacionaliste dhe euroskeptike do të fitojë më shumë terren.
Sipas një analize të publikuar nga The Guardian, ky cikël zgjedhor, i cilësuar si një “supercikël”, mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm të drejtimit politik të Evropës. Ndryshe nga fundi i viteve 1990, kur partitë pro-evropiane dominonin në pjesën më të madhe të kontinentit, sot momentumi politik po zhvendoset drejt së djathtës nacionaliste.
Zgjedhjet e ardhshme në Spanjë, Francë, Poloni dhe Itali konsiderohen veçanërisht të rëndësishme. Në Spanjë, socialistët e kryeministrit Pedro Sánchez përballen me presionin e Partisë Popullore dhe forcës së ekstremit të djathtë Vox. Në Francë, Marine Le Pen dhe partia e saj Tubimi Kombëtar synojnë të përfitojnë nga dobësimi i kundërshtarëve politikë.
Në Poloni, partitë nacionaliste mund të sfidojnë koalicionin liberal të Donald Tusk, ndërsa në Itali Giorgia Meloni synon të sigurojë një mandat të dytë, në një klimë ku presioni nga e djathta mbetet i pranishëm.
Megjithatë, analiza nxjerr në pah një paradoks: rritja e partive euroskeptike po ndodh në një kohë kur mbështetja e qytetarëve për Bashkimin Evropian mbetet e lartë. Sipas The Guardian, 74% e evropianëve mendojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE.
Pavarësisht kësaj, partitë nacionaliste kërkojnë një transformim të funksionimit të Unionit, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë si ndërhyrje të institucioneve evropiane në sovranitetin kombëtar. Synimi i tyre është një BE më e lirshme, ku shtetet anëtare të kenë më shumë kompetenca vendimmarrëse.
Analistët e lidhin këtë tendencë me një sërë faktorësh ekonomikë dhe socialë. Rritja e ngadaltë ekonomike, plakja e popullsisë, vështirësitë financiare të qeverive dhe rritja e kostos së jetesës kanë dobësuar besimin te partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë.
Në të njëjtën kohë, partitë nacionaliste kanë arritur të shfrytëzojnë pakënaqësinë për çështje si emigracioni, tranzicioni i gjelbër, globalizimi dhe mbështetja për Ukrainën.
Sipas analistëve të cituar nga The Guardian, Franca mund të jetë vendi që do të përcaktojë më shumë të ardhmen e BE-së. Një fitore e Marine Le Pen do të mund të sillte përplasje të drejtpërdrejta me Brukselin, duke pasur parasysh programin e saj për uljen e kontributit financiar të Francës në buxhetin e BE-së, organizimin e një referendumi kushtetues për marrëdhënien mes ligjit francez dhe atij evropian, si dhe ndryshimin e disa rregullave të tregut të përbashkët.
Ekspertët paralajmërojnë se një qeveri euroskeptike në Paris do të kishte ndikim shumë më të madh në institucionet evropiane sesa kundërshtimet e deritanishme të Viktor Orbánit në Hungari.
Një tjetër shqetësim lidhet me mundësinë e krijimit të një blloku më të gjerë liderësh euroskeptikë në Këshillin Evropian. Edhe nëse nuk do të kishin numrat e nevojshëm për të ndryshuar drejtpërdrejt legjislacionin e BE-së, ata mund të krijonin një pakicë të fortë bllokuese.
Kjo do të rrezikonte vendimmarrjen për çështje të rëndësishme si buxheti i përbashkët, zgjerimi i Unionit, ndihma për Ukrainën dhe integrimi në fushat e mbrojtjes, energjisë, financave dhe teknologjisë.
Aanaliza e The Guardian thekson se rritja e së djathtës radikale nuk nënkupton domosdoshmërisht shpërbërjen e Bashkimit Evropian, por mund të pengojë aftësinë e tij për të vepruar si një forcë e përbashkët përballë sfidave të së ardhmes. /rtsh/

