Spalletti me fjalë të mëdha për Zhegrovën: Është futbollist i jashtëzakonshëm

Spalletti me fjalë të mëdha për Zhegrovën: Është futbollist i jashtëzakonshëm

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka vlerësuar lart Edon Zhegrovën pas paraqitjes së tij në fitoren 4-0 ndaj Venezias, ku reprezentuesi i Kosovës dhuroi edhe një super asistim.

Në ndeshjen ku u aktivizua për herë të parë këtë sezon si titullar dhe luajti gjatë të gjitha 90 minutave, Zhegrova tregoi cilësitë e tij, duke kontribuar në triumfin e skuadrës torineze.

Spalletti nuk i kurseu elozhet për futbollistin kosovar, duke veçuar talentin, kreativitetin dhe aftësinë e tij për të krijuar raste të papritura.

“Zhegrova është një futbollist i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë realizon gjëra që as vetë nuk do të mund t’i shpjegonte se si i ka bërë. Ai shfaq momente gjenialiteti dhe zotëron një goditje vdekjeprurëse, të cilat bëjnë vërtet diferencën”, deklaroi Spalletti.

Megjithatë, trajneri italian theksoi se reprezentuesi i Kosovës duhet të përmirësohet edhe në disa aspekte të lojës, veçanërisht në pozicionim dhe në menaxhimin e topit.

“Ka edhe ulje-ngritje, momente kur nuk pozicionohet siç duhet, zhvendoset drejt qendrës dhe përfundon duke e humbur topin”, shtoi ai.

Pavarësisht këtyre vërejtjeve, fjalët e Spallettit tregojnë vlerësimin e madh për potencialin dhe cilësitë individuale të Zhegrovës.

Share This