Të shtënat në shkollën katolike, FBI nis hetimet për terrorizëm dhe krim urrejtjeje. Flamuri amerikan ulet në gjysmështizë

Të shtënat në shkollën katolike, FBI nis hetimet për terrorizëm dhe krim urrejtjeje. Flamuri amerikan ulet në gjysmështizë

Dy fëmijë u qëlluan për vdekje dhe 17 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë në shkollën katolike të Kishës së Ungjillizimit në Mineapolis, SHBA.

Ngjarja tronditi gjithë komunitetin, ndërsa FBI-ja po e heton ngjarjen si akt terrorizmi dhe krim urrejtjeje ndaj katolikëve.

Guvernatori Tim Walz tha se Presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij shprehën ngushëllimet për tragjedinë, ndërsa njoftuan se flamuri amerikan do të ulet në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë si shenjë respekti për viktimat.

Në një deklaratë të rrallë në rrjetin social X , zonja e parë Melania Trump theksoi “nevojën për ndërhyrje parandaluese në identifikimin e personave të mundshëm që mund të përdorin armë në shkolla”.

Trump shkroi se shenjat e hershme paralajmëruese “janë shpesh të dukshme, me shumë individë që shfaqin sjellje shqetësuese dhe bëjnë kërcënime të dhunshme në internet përpara veprimeve të tyre”.

“Për të parandaluar tragjeditë e ardhshme, është thelbësore që të shqyrtojmë vlerësimet e kërcënimeve të sjelljes në të gjitha nivelet e shoqërisë – duke filluar në shtëpitë tona, duke u zgjeruar nëpër distriktet shkollore dhe sigurisht, platformat e mediave sociale. Të qenit i vetëdijshëm për këto shenja paralajmëruese dhe të vepruarit shpejt mund të shpëtojë jetë dhe t’i bëjë komunitetet amerikane më të sigurta”, shkroi Trump në postimin e saj.

Ditën e djeshme një 23-vjeçar iu afrua anës së kishës, ku ndodhet shkolla, dhe qëlloi dhjetëra herë përmes dritareve, duke përdorur tri armë zjarri.

Nga të shtënat humbën jetën dy fëmijë të moshave 8 dhe 10 vjeç, ndërsa 17 të tjerë (14 fëmijë dhe 4 famullitarë të moshuar) u plagosën, teksa ishin duke kremtuar meshën.

Autori i ngjarjes, i identifikuar si 23-vjeçari Robin Westman, humbi jetën në vendngjarje pasi u vetëqëllua me plumb. /rtsh/

Share This