
Taulant Xhaka reagon pas fishkëllimave ndaj Granitit në ‘Fadil Vokrri’: Gjithmonë deri në vdekje me ty vëlla, krenaria e shqiptarëve
Zvicra siguroi mbrëmë kualifikimin direkt në Kampionatin Botëror 2026, pasi barazoi 1:1 me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ky rezultat i mjaftoi helvetikëve për ta ruajtur vendin e parë në grup dhe për ta vulosur pjesëmarrjen në Botëror.
Në qendër të vëmendjes ishte kapiteni Granit Xhaka, njëri nga lojtarët më të rëndësishëm të Zvicrës gjatë gjithë ciklit kualifikues.
Megjithatë, ndeshja në Prishtinë mori një kthesë të papritur për të, pasi një grup tifozësh e vërshëllyen sa herë që prekte topin.
Këto fishkëllima erdhën në sfondin e deklaratave të mëhershme të mesfushorit lidhur me vendimin e disa lojtarëve që të përfaqësojnë Kosovën, por megjithatë pritja e ftohtë dukej se e kishte befasuar edhe vetë Xhakën.
Pas ndeshjes, reagoi vëllai i tij, Taulant Xhaka, i cili shprehu publikisht mbështetjen për Granitin.
“Gjithmonë deri në vdekje me ty vëlla. Krenaria e shqiptarëve. Zoti i ruajt të gjithë shqipet e vërteta nëpër botë”, shkroi Taulanti në një postim në rrjetet sociale.
Ndeshja Kosovë–Zvicër mbylli një cikël historik për “Dardanët”, të cilët për herë të parë e përfunduan garën në vendin e dytë dhe siguruan një biletë për fazën ‘play-off’ drejt Botërorit 2026.

