Të shtëna me armë në darkën e gazetarëve organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Evakuohet Trump, autori në pranga

Të shtëna me armë në darkën e gazetarëve organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Evakuohet Trump, autori në pranga

Të shtëna me armë kanë ndodhur gjatë darkës vjetore të gazetarëve në Washington Hilton,  ku të pranishëm ishte edhe presidenti Trump.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania u evakuuan menjëherë nga Shërbimi Sekret, ndërsa një oficer u plagos nga afër, por shpëtoi falë jelekut antiplumb. Autori i dyshuar, Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, u arrestua në vendngjarje dhe pritet të përballet me akuza ditën e hënë.

Hetimet zbuluan se ai kishte me vete një shotgun, një pistoletë dhe thika. Autori ishte një klient në hotel, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave për të kuptuar si arriti të kalonte kontrollet e sigurisë. Shërbimi Sekret theksoi se sistemi i tyre funksionoi, duke e ndaluar para se të hynte në sallën kryesore ku ndodheshin qindra të ftuar.

Presidenti Trump publikoi foto dhe video të momentit të sulmit, duke e cilësuar autorin si “një person shumë të sëmurë” dhe duke falënderuar forcat e rendit për reagimin e shpejtë.

“Unë luftova me gjithë forcën për të qëndruar, por protokolli kërkonte të largohesha. Ishte një ngjarje traumatike për Melanian, por ne nuk do të lejojmë askënd të marrë kontrollin mbi shoqërinë tonë”, tha Trump.

Ai kujtoi se kjo ishte tentativa e tretë me armë ndaj tij në vitet e fundit dhe premtoi se tradita e darkës do të vazhdojë, duke u riorganizuar brenda 30 ditëve.

“Do të jetë më e madhe, më e mirë dhe më e bukur. Ishte një mbrëmje e dedikuar lirisë së fjalës dhe unitetit”, tha ai.

Ngjarja rikujtoi atentatin ndaj Presidentit Ronald Reagan në të njëjtin hotel në vitin 1981. Aktualisht, i dyshuari dhe oficeri i plagosur po trajtohen në spital. /rtsh/

Share This