
Putin dhe Trump bisedë telefonike-Presidenti rus jep propozime për zgjidhjen e konfliktit me Iranin
Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar sot një bisedë telefonike që zgjati më shumë se 90 minuta, gjatë së cilës lideri rus paraqiti propozime konkrete për zgjidhjen e konfliktit rreth programit bërthamor të Iranit.
Sipas ndihmësit të Kremlinit, Yuri Ushakov, Putin paraqiti disa ide që synojnë një zgjidhje të shpejtë politike dhe diplomatike të konfliktit aktual me Iranin, duke marrë parasysh kontaktet e tij të fundit me udhëheqësit e vendeve të Gjirit Persik, presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe liderë të tjerë.
Putin shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për vendimin e Trump për të zgjatur armëpushimin me Iranin. Biseda u përshkrua si “miqësore dhe konstruktive.”
Në të njëjtën bisedë, Putin propozoi një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë gjatë festimeve të 9 Majit, që shënon përvjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Trump reagoi pozitivisht ndaj këtij propozimi, sipas Kremlinit.
Ushakov shtoi se Trump beson se një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë është “afër”.
Biseda telefonike zgjati mbi një orë e gjysmë dhe u fokusua kryesisht në dy çështje të mëdha ndërkombëtare: situatën rreth Iranit, ku SHBA dhe Izraeli kanë qenë në konflikt të drejtpërdrejtë me Teheranin vitet e fundit dhe përpjekjet për paqe në Ukrainë.
Kremlini theksoi se Putin ka shprehur disa “konsiderata” për një zgjidhje të shpejtë diplomatike të krizës iraniane. /rtsh/


