
Sulme amerikane në zonën e Hormuzit, Iran dhe SHBA në prag përshkallëzimi
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj objektivave iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, në një zhvillim që rrezikon të përshkallëzojë tensionet në rajon dhe të ndikojë drejtpërdrejt në negociatat për një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sulmet u kryen vetëm pak orë pasi negociatorët iranianë zhvilluan takime në Doha me ndërmjetësuesit e Katarit në kuadër të bisedimeve për uljen e tensioneve dhe ruajtjen e armëpushimit. Ushtria amerikane i cilësoi ndërhyrjet si “sulme vetëmbrojtëse”, duke bërë të ditur se në shënjestër u vunë pozicione për lëshimin e raketave dhe mjete detare iraniane pranë njërës prej rrugëve më strategjike të transportit të naftës në botë.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi një pjesë e madhe e eksporteve botërore të naftës kalon përmes saj. Për këtë arsye, çdo përshkallëzim ushtarak në zonë shihet me shqetësim nga tregjet ndërkombëtare dhe komuniteti diplomatik.
Megjithëse autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht mbi sulmet e fundit amerikane, mediat pranë qeverisë në Teheran i kanë cilësuar ato si shkelje të armëpushimit aktual. Raportohet se gjatë periudhës së armëpushimit ka pasur edhe më herët shkëmbime zjarri mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, çka e bën situatën edhe më të tensionuar.
Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se negociatat për një marrëveshje me Iranin po pengohen nga mosmarrëveshje mbi formulimin e tekstit të marrëveshjes.
Sipas tij, dallimet mes palëve lidhen kryesisht me gjuhën që ka të bëjë me programin bërthamor iranian dhe heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Teheranit.
“Do të duhen disa ditë për të zgjidhur mosmarrëveshjet për një fjalë apo një fjali”, deklaroi Rubio para gazetarëve gjatë një udhëtimi drejt Indisë, duke nënvizuar se negociatorët ende nuk kanë arritur kompromis mbi disa pika kyçe të dokumentit.
Duke komentuar sulmet pranë Ngushticës së Hormuzit, Rubio theksoi rëndësinë strategjike të korridorit detar për tregtinë ndërkombëtare.
“Ngushtica duhet të jetë e hapur dhe do të mbetet e hapur në një mënyrë ose në një tjetër”, u shpreh ai. /rtsh/

