
Uran Ismaili: Me Bedri Hamzën kryeministër përfundon kriza dhe përçarja, fillon zhvillimi dhe stabiliteti
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se Albin Kurti për vite me radhë ka përdorur propagandën dhe përçarjen për t’i vendosur qytetarët kundër njëri-tjetrit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Ismaili tha se çdo njeri që ka dhënë kontribut për Kosovën, para luftës, gjatë luftës apo pas saj, ka qenë cak i retorikës së Kurtit.
“Për një kohë të gjatë, Albin Kurti e ka përdorur propagandën dhe emocionin për ta bërë një pjesë të shoqërisë kundër një pjese tjetër. Çdo njeri i Kosovës që ka dhënë kontribut, qoftë para luftës, gjatë luftës apo pas luftës, ka qenë target i retorikës së tij”, tha Ismaili.
Ai shtoi se deri më 7 qershor, PDK-ja dhe qytetarët nuk kanë kohë për lodhje, por përgjegjësi për mobilizim.
“Deri më 7 qershor, fati i Kosovës është në dorën tuaj. Nuk kemi kohë të lodhemi”, u shpreh ai, transmeton ER.
Në postimin e tij, Ismaili shkroi se historia e Kosovës nuk mund të zhbëhet me propagandë.
“Liria dhe shtetësia jonë mbështeten mbi veprat e atyre që e liruan dhe e forcuan këtë vend. Deri më 7 qershor, nuk kemi kohë të lodhemi. Kemi përgjegjësi të mobilizohemi për të vërtetën, për dinjitetin dhe për Kosovën”, ka shkruar Ismaili.

