
Sulm i përgjakshëm ndaj trenit ushtarak në Pakistan, të paktën 20 të vrarë
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe rreth 70 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi që goditi një tren që transportonte personel ushtarak në Pakistan. Shpërthimi ndodhi pranë stacionit Chaman Phatak, teksa treni po kalonte në zonë.
Sipas zyrtarëve hekurudhorë, nga shpërthimi dolën nga shinat tre vagona dhe lokomotiva, ndërsa dy vagona të tjerë u përmbysën. Në tren ndodheshin kryesisht ushtarakë dhe familjarët e tyre, të cilët po ktheheshin në shtëpi për festën e Bajramit.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi separatist Balochistan Liberation Army, i njohur si BLA, i cili deklaroi se bëhej fjalë për një sulm vetëvrasës.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë një akt terrorist.
“Akte të tilla frikacake terrorizmi nuk mund të dobësojnë vendosmërinë e popullit të Pakistanit”, deklaroi Sharif.
Ai shtoi se “i gjithë kombi qëndron në solidaritet me popullin e Balochistanit në këtë orë pikëllimi”.
Forcat e sigurisë dhe ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa hetimet për sulmin vijojnë. /rtsh/

