
Tragjedi në det- Përmbyset anija me emigrantë, vdesin 7 persona, shpëtohen 96 të tjerë
Shtatë persona gjetën vdekjen ndërsa 96 të tjerë u shpëtuan pasi një anije që transportonte emigrantë u përmbys natën e kaluar pranë bregdetit të Gambisë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Banjulit, anija “supozohej se mbante mbi 200 emigrantë”, ndërsa shton se 10 nga të shpëtuarit ndodhen në gjendje kritike dhe po marrin kujdes urgjent mjekësor.
Fati i pjesës tjetër të personave në bord nuk është përmendur në deklaratë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Rruga migratore Atlantike nga bregdeti i Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie, e përdorur zakonisht nga migrantët afrikanë për të arritur në Spanjë, është një nga më vdekjeprurëset në botë.
Më shumë se 46 mijë emigrantë arritën në Ishujt Kanarie në 2024, një rekord, sipas Bashkimit Evropian.
Më shumë se 10 mijë persona humbën jetën duke tentuar kalimin, një rritje me 58 për qind krahasuar me 2023-n, sipas grupit për të drejtat e njeriut, Caminando Fronteras.
Të paktën 70 persona gjetën vdekjen në gusht të vitit 2025 kur një anije, që ishte nisur nga Gambia u përmbys – një nga incidentet më vdekjeprurëse të viteve të fundit, raporton rtsh.

