
Stadiumi i Klinës bëhet me reflektorë, presidenti Ademi: Ky është veç fillimi i projektit “Ndriçojmë Futbollin”
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur nisjen e projektit “Ndriçojmë Futbollin”, i cili synon modernizimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë përmes instalimit të sistemeve moderne të ndriçimit në stadiume dhe fusha.
Në një postim të tij, Ademi ka njoftuar se një tjetër hap i rëndësishëm është bërë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku ndeshja e sontme po zhvillohet për herë të parë nën dritën e reflektorëve në kuadër të këtij projekti.
“Po nis jetësimi i projektit ‘Ndriçojmë Futbollin’, një projekt që ka për qëllim vendosjen e sistemeve moderne të ndriçimit në stadiumet dhe fushat tona të futbollit, duke krijuar kushte më të mira për klubet, futbollistët dhe tifozët”, ka shkruar Ademi.
Sipas presidentit të FFK-së, në etapën e parë të projektit, sisteme moderne të ndriçimit do të vendosen edhe në stadiumin e Gjilanit dhe në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Ademi e ka cilësuar këtë vetëm si fillimin e një procesi më të gjerë të modernizimit të infrastrukturës sportive në vend.
“Synimi ynë është që futbolli të luhet në kushte gjithnjë e më moderne, që klubet tona të kenë infrastrukturën që meritojnë dhe që ndeshjet nën reflektorë të bëhen një realitet i zakonshëm në stadiumet anembanë Kosovës”, ka deklaruar ai.
Duke e përmbyllur postimin, presidenti i FFK-së ka përcjellë edhe një mesazh simbolik për të ardhmen e futbollit kosovar:
“Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës!”

