
Sveçla: Lufta ndaj narkotikëve vazhdon pa kompromis
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka sekuestruar 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë, gjatë një operacioni të zhvilluar sot në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se përveç drogës, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Sipas Sveçlës, gjatë aksionit njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar.
“Njëra nga veturat e përfshira në këtë rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale. Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit”, ka shkruar Sveçla, raporton rtk.
Ai ka theksuar se nuk do të tolerohet asnjë zyrtar apo individ që shkel ligjin ose përfshihet në veprimtari kriminale.
“Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin”, ka shkruar ai

