
Spiropali uron njohjen e Kosovës nga Siria: “Kosova po fiton vendin e merituar në familjen e kombeve”
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Në një reagim publik në platformën X, Spiropali e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në rrugën e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
“Urime Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetit nga ana e Republikës Arabe të Sirisë,” shkroi ministrja, duke theksuar se ky është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes së miqve ndërkombëtarë.
Spiropali vlerësoi angazhimin e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për rolin e tij në kurorëzimin e kësaj njohjeje.
“Falënderime me këtë rast edhe për Lartësinë e tij Mbretërore, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje,” – theksoi ajo.
Ministrja shtoi se njohjet ndërkombëtare janë dëshmi e suksesit të Kosovës në arenën globale.
“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar,” u shpreh ajo.


