
Sorloth “shkatërron” Brugge, Atletico kalon në 1/8-at e Championsit
Atletico Madrid siguroi kualifikimin për në 1/8-at e finales së UEFA Champions League, pasi mposhti 4-1 Club Brugge në ndeshjen e dytë të “play-off”-it, duke kaluar me rezultat të përgjithshëm 7-4, raporton Rekordi.net.
Heroi i mbrëmjes në “Metropolitano” ishte sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth, i cili realizoi “hat-trick” dhe ndëshkoi çdo gabim të mbrojtjes belge.
Atletico e nisi takimin me intensitet, ndërsa rasti i parë serioz erdhi nga Giuliano Simeone, por portieri Simon Mignolet shpëtoi ekipin e tij pas kontrollit me VAR.
Megjithatë, në mesin e pjesës së parë, Sorloth tregoi forcën dhe instinktin e tij, duke kaluar lehtësisht Brandon Mechele dhe duke shënuar për 1-0.
Brugge reagoi dhe barazoi shifrat falë Joel Ordonez, pas një devijimi të Mechele nga rivënia këndore, duke rikthyer përkohësisht baraspeshën në rezultat të përgjithshëm. Mysafirët ishin pranë përmbysjes, por portieri Jan Oblak bëri një pritje vendimtare ndaj Hugo Vetlesen.
Në pjesën e dytë, vendasit rikthyen epërsinë me golin e parë në Champions të Johnny Cardoso, i cili realizoi një supergol nga distanca. Brugge tentoi të reagojë, por Oblak ishte sërish në nivel të lartë.
Dy golat e tjerë të Sorloth vulosën fatin e takimit – i pari pas një kombinimi të bukur mes Ademola Lookman dhe Antoine Griezmann, ndërsa i treti erdhi pas një goditjeje nga këndi, ku norvegjezi mbeti i pambuluar.
Kjo fitore zgjat në 20 ndeshje serinë pa humbje të Atletico Madrid në kohën e rregullt të fazës eliminatore të Championsit.
Në raundin e ardhshëm, skuadra spanjolle do të përballet me njërën mes Liverpool FC dhe Tottenham Hotspur, me shortin që hidhet të premten dhe ndeshjet e para që luhen në muajin mars. /Rekordi.net


