
Hoti akuzon Dardan Sejdiun për gënjeshtra lidhur me blerjen e autobusëve të Trafikut Urban: Nëse nuk kërkon falje, do ta padis
Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili pretendoi se Qeveria e Kosovës kishte bllokuar procesin e blerjes së autobusëve për Trafikun Urban në vitin 2017.
Hoti e ka quajtur deklaratën e Sejdiut “gënjeshtër”, duke thënë se përgjegjësia për vonesat ka qenë tërësisht e Komunës së Prishtinës.
Ai paralajmëroi se do ta padisë Sejdiun për shpifje, nëse ky i fundit nuk kërkon falje publike.
Në reagimin e tij, Hoti shkruan se Komuna nuk kishte nxjerrë vendimin e domosdoshëm nga Kuvendi Komunal, me të cilin garantonte pagesën e kredisë në rast se NP Trafiku Urban nuk do të mund ta shlyente atë. Sipas tij, vetëm pasi ky vendim u miratua, Qeveria procedoi menjëherë marrëveshjen për blerjen e autobusëve.
Hoti theksoi:
“Dardan Sejdiu po gënjen. Problemi ka qenë te Komuna e Prishtinës, e jo te Qeveria.”
“Nëse nuk kërkon falje publike, do të detyrohem ta padis për shpifje.”
Ai kujtoi se Sejdiu dhe ekipi i tij kishin nisur 70 dosje në drejtësi kundër udhëheqjes së LDK-së pas vitit 2013, por të gjitha ishin hedhur poshtë nga organet e drejtësisë si të pabazuara.
Hoti shtoi se ish-udhëheqja komunale ishte angazhuar më shumë në “agjenda politike të ulëta” sesa në punë konkrete për Prishtinën:
“Sikur ky dhe shefi i tij të kishin punuar për Prishtinën aq sa kanë rrëmuar nëpër arkiva për të bërë dosje, sot Përparim Rama do të merrej me projekte të reja e jo me ato të mbetura përgjysmë.”
Në fund, Hoti u shpreh se Sejdiu ende nuk është vetëdijesuar për “politikën e ndyrë” të së kaluarës, e cila, sipas tij, vazhdon t’i dëmtojë qytetarët edhe sot.
Ky debat vjen në mes të akuzave të reja nga Komuna e Prishtinës ndaj Qeverisë qendrore për bllokada në proceset komunale.


