Shefi i EULEX-it viziton FFK-në: Giovanni Pietro Barbano bëhet tifozi më i ri i Kombëtares Dardane

Shefi i EULEX-it viziton FFK-në: Giovanni Pietro Barbano bëhet tifozi më i ri i Kombëtares Dardane

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi të mërkurën ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Giovanni Pietro Barbano, shkruan Rekordi.net.

Në një takim miqësor, kreu i FFK-së, Agim Ademi, dhe z. Barbano diskutuan mbi përparimin që ka shënuar federata ndër vite, strukturën organizative, projektet aktuale dhe vizionin për të ardhmen e futbollit në Kosovë.

Shefi i EULEX-it, një njohës dhe dashamirës i madh i futbollit, u shpreh i impresionuar nga rrugëtimi i FFK-së dhe u interesua veçanërisht për rolin e futbollit në ndërtimin e komuniteteve dhe forcimin e lidhjeve mes qytetarëve, pa dallim përkatësie.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Giovanni Pietro Barbano. Gjatë takimit biseduam për përparimin që ka bërë FFK-ja ndër vite; për strukturën, projektet dhe ambiciet që kemi për të ardhmen e futbollit në vendin tonë.

Barbano, i cili është edhe një dashamirës i madh i futbollit, u shpreh i impresionuar me rrugëtimin tonë dhe u interesua për mënyrën se si futbolli luan rol në ndërtimin e komunitetit dhe lidhjen mes njerëzve.

Një ide që na afroi më shumë si dy institucione ishte mundësia e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta sportive revyale mes EULEX-it dhe FFK-së, e që do të bashkojnë punonjësit e sundimit të ligjit me futbollistët në fushën e gjelbër.

Edhe pse vjen nga Italia, z. Barbano u largua nga ky takim si tifozi më i ri i Kombëtares dardane. E kjo është dëshmi e fuqisë që ka futbolli pavarësisht prejardhjes apo vendit”, ka shkruar Ademi.

Edhe pse me origjinë nga Italia, Giovanni Pietro Barbano u largua nga takimi si tifozi më i ri i Kombëtares Dardane – një dëshmi e qartë e fuqisë bashkuese që ka futbolli përtej kufijve dhe kulturave. /Rekordi.net

Share This