SHBA-Ukrainë, bisedime intensive për të arritur paqen me Rusinë

SHBA-Ukrainë, bisedime intensive për të arritur paqen me Rusinë

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas po mbajnë bisedime intensive paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Nga pala amerikane marrin pjesë sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump.

Sipas raportimeve të mediave ukrainase dhe amerikane, ata po punojnë me delegacionin ukrainas për përmirësimin e planit 28-pikësh të paqes të propozuar nga Donald Trump.

Rustem Umerov, që drejton delegacionin ukrainas dhe është sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare e Mbrojtjes, deklaroi në X se “Kemi direktiva të qarta: mbrojtja e interesave të Ukrainës, dialog real dhe përparim mbi bazën e rezultateve të Gjenevës. Qëllimi ynë është paqe e vërtetë dhe garanci sigurie të forta e afatgjata.”

Në bisedime po marrin pjesë edhe gjenerali Andrii Hnatov (shef i shtabit të përgjithshëm), ministri i Jashtëm Andrii Sybiha, kreu i inteligjencës së jashtme Oleh Ivashchenko, Vadym Skibitsky dhe zëvendësministri i Jashtëm Sergiy Kyslytsya.

Sekretari Rubio u shpreh optimist nga Hallandale Beach në Florida, ku po zhvillohen takimet se “Nuk bëhet fjalë vetëm për marrëveshje paqeje. Bëhet fjalë për një rrugë që e lë Ukrainën sovrane, të pavarur dhe të begatë. Presim përparim edhe më të madh sot.”

Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky do të takohet të hënën në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron.

Të dy liderët do të diskutojnë “kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, pas bisedimeve të Gjenevës dhe planit amerikan, njoftoi Pallati Elysee.

Në të njëjtën kohë, Ukraina kreu një sulm me dronë ndaj anijeve të “flotës fantazmë” ruse në Detin e Zi, teksa ato po shkonin drejt një terminali rus për të ngarkuar naftë për tregjet e huaja.

Sulmi u realizua me dronë detarë “Sea Baby” të prodhimit vendas pranë brigjeve turke. Roja bregdetare turke kreu operacion shpëtimi; të gjithë anëtarët e ekuipazheve rezultojnë të shpëtuar. /rtsh/

Share This