
Hykmete Bajrami: “Mashtrimi i ri i VV-së nuk kalon – më 28 dhjetor vendi çlirohet nga mashtruesit”
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për, siç thotë, tentim për të shmangur përgjegjësinë për qeverisjen e tij pesëvjeçare.
Ajo deklaron se Qeveria po vazhdon të fajësojë opozitën, ndonëse ka pasur shumicën absolute në të gjitha nivelet e pushtetit.
Bajrami thekson se VV-ja dikur premtonte mrekulli, ndërsa sot, sipas saj, justifikohet duke e fajësuar opozitën “nga mëngjesi deri në mbrëmje”.
“Po qysh mundet me i blloku opozita? Opozita është opozitë sepse nuk i ka numrat. Nuk është në Qeveri fare. E qysh po ju bllokon?”, shkruan ajo.
Ajo rendit disa prej çështjeve për të cilat thotë se opozita nuk ka pasur asnjë rol pengues:
ndërtimi i 160 çerdheve të premtuara,
lirim ose rritje të çmimit të energjisë,
heqja e TVSH-së për produktet bazë,
mosrealizimi i rrugëve magjistrale,
futja e vendit nën masa,
ndërprerja e dialogut strategjik nga SHBA,
lidhja e kontratave njëburimore,
rritja e korrupsionit.
Bajrami kujton edhe bllokimin institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit:
“Se kush doli i pari dhe kush e mbajti vendin të bllokuar për 9 muaj duke e çuar sërish në zgjedhje, qytetarët e dinë shumë mirë.”
Ajo i bën thirrje Qeverisë të mos i nënvlerësojë qytetarët dhe paralajmëron se zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas saj, do ta çlirojnë vendin nga “mashtruesit”.


