
S’gabon Reali, mposht Sevillan
Real Madridi ka shënuar fitoren e tretë brenda një jave, duke mposhtur Sevillën me rezultat 2-0, të shtunën në “Santiago Bernabéu”, në kuadër të LaLiga-s.
Kjo fitore lehtëson ndjeshëm presionin mbi trajnerin Xabi Alonso. Me këtë rezultat, Sevilla mbetet pa fitore në 19 vizitat e fundit në stadiumin e madrilenëve.
Ndeshja nisi me raste nga të dyja palët. Fran Garcia dhe Isaac Romero patën mundësitë e para për të zhbllokuar rezultatin, ndërsa Kylian Mbappe u afrua disa herë te goli në pjesën e parë. Megjithatë, momenti vendimtar erdhi në minutën e 38-të, kur pas një goditjeje dënimi nga Rodrygo, Jude Bellingham u ngrit më lart se të gjithë dhe shënoi me kokë për epërsinë e Realit.
Në pjesën e dytë, madrilenët vazhduan të krijojnë raste të shumta, me Mbappe që humbi disa mundësi të pastra, ndërsa portieri i Sevillës, Odysseas Vlachodimos, ishte disa herë vendimtar. Edhe Sevilla rrezikoi, por Thibaut Courtois u tregua i sigurt në portën e vendasve.
Situata u vështirësua për mysafirët në minutat e mesit të pjesës së dytë, kur Marcao u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Bellinghamit. Me një lojtar më shumë, Reali kontrolloi plotësisht lojën.
Fundi i ndeshjes u vulos në minutën e 85-të, kur Mbappe realizoi nga penalltia, duke shënuar golin e tij të 18-të sezonal në LaLiga. Një tjetër penallti e dhënë për Realin u anulua nga VAR-i, por fitorja e vendasve nuk u vu më në dyshim.
Me këtë sukses, Real Madridi ka 42 pikë, vetëm një pikë larg liderit të tabelës, Barcelonës, kurse, Sevilla është e nënta më 20 sosh.


