
Arsenali rikthehet në krye të Premier League-s, mund Evertonin
Arsenali është rikthyer në krye të tabelës së Premier League, pas fitores minimale 1-0 ndaj Evertonit, në një ndeshje ku diferencën e bëri goli nga penalltia i Viktor Gyokeres.
Fillimi i ndeshjes ishte disi i vështirë për skuadrën e Mikel Artetës, me Evertonin që tregoi agresivitet dhe krijoi disa momente rreziku. Rasti i parë serioz për Arsenalin erdhi në minutën e 19-të, kur Martin Zubimendi gjuajti mbi portë.
Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 27-të, kur Jake O’Brien preku topin me dorë në zonë pas një goditjeje nga këndi të Declan Rice. Nga pika e bardhë, Gyokeres ishte i saktë, duke realizuar golin e vetëm të takimit dhe golin e tij të parë pas rikthimit nga lëndimi.
Pas epërsisë, Arsenali kontrolloi më shumë lojën, por pa arritur të krijojë raste të shumta të pastra, me goditjet e Rice dhe Bukayo Saka që nuk gjetën cakun.
Në pjesën e dytë, Evertoni u përpoq të reagojë. Carlos Alcaraz dhe Thierno Barry krijuan rrezik, ndërsa mbrojtësi James Tarkowski shpëtoi një gol të sigurt duke larguar topin nga vija pas një aksioni të bukur të Saka-s dhe Jurriën Timber. Nga ana tjetër, Arsenali ishte shumë pranë golit të dytë, por Leandro Trossard dhe Zubimendi goditën shtyllën.
Në minutat e fundit, “Topçinjtë” menaxhuan mirë lojën dhe siguruan fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat, duke kaluar sërish mbi Manchester Cityn në renditjen e Premier League.
Evertoni, ndërkohë, ka pësuar humbjen e dytë radhazi, megjithatë të dyja humbjet kanë ardhur ndaj skuadrave nga katërshja e parë dhe ekipi mbetet në top 10 të renditjes.


