Sekretari amerikan i Energjisë: Do të tronditesha nëse BE s’e mbështet projektin e gazit Ndërlidhja Jugore

Sekretari amerikan i Energjisë: Do të tronditesha nëse BE s’e mbështet projektin e gazit Ndërlidhja Jugore

Sekretari amerikan Energjisë, Chris Wright, tha në Dubrovnik më 29 prill se do të tronditej nëse Bashkimi Evropian nuk e mbështet projektin e gazit, Ndërlidhja Jugore, e cila do ta lidhë Bosnjë e Hercegovinën me terminalin e e gazit të lëngshëm në ishullin kroat Kërk dhe do ta çlirojë atë nga varësia ndaj gazit rus.

Wright tha se është krenar për vendimet e qeverive të Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë për të qenë pjesë e projektit, duke shtuar se shpreson që ai do të realizohet sa më shpejt.

Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia të martën në Dubrovnik – ku po mbahet forumi i Nismës së Tre Deteve që mbledh vendet midis Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi – nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e gazsjellësit Ndërlidhja Jugore, i cili duhet t’i mundësojë Bosnjë e Hercegovinës qasje në burime të reja të furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG) përmes terminalit në Kërk, me qëllim ndërprerjen e varësisë së Sarajevës nga gazi rus.
Bashkimi Evropian, megjithatë, më herët ka paralajmëruar se korniza ligjore, me të cilën një kompani private amerikane vendoset si investitori kryesor, mund të ndikojë në rrugën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe në qasjen në rreth 1 miliard euro të dedikuara për projekte infrastrukturore në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, transmeton euronews.al.

Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që projekti në Bosnjë e Hercegovinë të udhëhiqej nga kompania publike BH-Gas, e cila është në pronësi të Qeverisë së entitetit të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, në zbatimin e tij është përfshirë, përmes një ligji të veçantë, kompania amerikane AAFS Infrastructure and Energy, e themeluar në fund të vitit të kaluar.

Share This