
“Scott po tallesh?”, McTominay shpëton Napolin, barazim spektakolar ndaj Interit
Scott McTominay ishte heroi i Napolit, duke shënuar dy gola dhe duke i mundësuar skuadrës së Antonio Contes të barazojë 2-2 ndaj Inter Milanit, në një duel të zjarrtë mes pretendentëve për titull në Serie A, shkruan Rekordi.net.
Ky ishte barazimi i katërt në pesë përballjet e fundit direkte mes këtyre dy ekipeve.
Napoli e nisi mirë ndeshjen, por u ndëshkua që në minutën e 9-të pas një gabimi të Stanislav Lobotkës. Piotr Zielinski përfitoi nga pasimi i rrezikshëm, ndërsa aksioni u finalizua nga Federico Dimarco, i cili me një goditje precize nga distanca e dërgoi topin në rrjetë pas shtyllës së brendshme.
Interi vazhdoi presionin, me Lautaro Martinez dhe Hakan Çalhanoglu që krijuan raste të tjera, por portieri Vanja Milinkovic-Savic mbajti Napolin në lojë. Reagimi i vendasve erdhi në minutën e 26-të, kur McTominay përfitoi nga krosimi i ulët i Matteo Politano-s dhe shënoi me një goditje të parë, duke barazuar rezultatin.
Pak më vonë, skocezi ishte pranë golit të dytë pas një presioni individual ndaj Zielinskit, por Yann Sommer reagoi në kohë. Edhe pse Interi u përpoq të rikthehej në epërsi para pushimit, rezultati mbeti i pandryshuar.
Në pjesën e dytë, Napoli humbi dy raste të pastra, me Rasmus Hojlund dhe Giovanni Di Lorenzo që nuk u treguan të saktë. Loja u hap në të dyja krahët, derisa në minutën e 73-të, një ndërhyrje e Amir Rrahmanit ndaj Henrikh Mkhitaryan-it solli penallti për Interin.
Protestat e ashpra i kushtuan karton të kuq trajnerit Antonio Conte, ndërsa Çalhanoglu realizoi saktë nga pika e bardhë.
Epërsia e Interit zgjati vetëm tetë minuta. Noa Lang riktheu topin në zonë pas krosimit të Politano-s, ndërsa McTominay u gjend sërish në vendin e duhur për të shënuar golin e dytë personal dhe për të vendosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Në minutat shtesë, Interi ishte shumë pranë fitores, por goditja e devijuar e Mkhitaryan-it u ndal nga shtylla.
Napoli regjistroi barazimin e dytë radhazi dhe u rikthye në vendin e tretë të renditjes, ndërsa Interit iu ndërpre seria prej gjashtë fitoresh radhazi në kampionat, megjithatë Nerazzurrët mbeten kryesues me tri pikë avantazh. /Rekordi.net


