Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme të reja, Moska goditet nga qindra dronë ukrainas. Goditet anija tregtare pranë Odesës, 10 të vdekur

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme të reja, Moska goditet nga qindra dronë ukrainas. Goditet anija tregtare pranë Odesës, 10 të vdekur

Ukraina ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha me dronë ndaj Moskës, duke lëshuar rreth 400 dronë gjatë natës, sipas autoriteteve ruse. Si pasojë, dy persona mbetën të plagosur, ndërsa disa ndërtesa u përfshinë nga flakët.

Sulmi vjen vetëm një ditë pasi Rusia kreu një nga bombardimet më të mëdha me raketa balistike ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë. Në muajt e fundit, Ukraina ka shtuar sulmet në territorin rus, duke i cilësuar ato si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të vazhdueshme ruse.

Ndërkohë, një tjetër sulm rus pranë portit të Odesës goditi një anije tregtare me flamurin e Guinea-Bissau, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave. Anija, e ngarkuar me grurë, ishte nisur të dielën dhe kishte në bord 17 anëtarë ekuipazhi, shtetas të Sirisë dhe Indisë, si dhe një pilot ukrainas.

Autoriteti i Porteve Detare të Ukrainës bëri të ditur se operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati gjatë gjithë natës. Tetë anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan dhe u dërguan në breg, ndërsa 10 persona, përfshirë pilotin ukrainas, humbën jetën.

Sipas të dhënave ukrainase, javët e fundit forcat e dronëve kanë goditur të paktën 118 anije të lidhura me Rusinë në Detin Azov dhe 54 të tjera në Detin e Zi. Kievi synon të izolojë Krimenë dhe të pengojë rrugët detare që Rusia përdor për eksportin e grurit dhe furnizimet ushtarake.

Porti i Odesës ka qenë vazhdimisht objektiv i sulmeve ruse që nga nisja e pushtimit në vitin 2022, ndërsa konflikti vazhdon të përshkallëzohet me sulme të ndërsjella në të dyja anët. /rtsh/

Share This