Rusi-SHBA, bisedime për Ballkanin – Kosova paralajmëron për ndikimin rus dhe rrezikun e destabilizimit në rajon

Rusi-SHBA, bisedime për Ballkanin – Kosova paralajmëron për ndikimin rus dhe rrezikun e destabilizimit në rajon

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska po komunikon me Shtetet e Bashkuara për çështjet e Ballkanit dhe se është e gatshme t’i vazhdojë këto kontakte. Ai tha se Rusia ka më shumë hapësirë komunikimi me SHBA-në sesa me Bashkimin Evropian, veçanërisht për Bosnje-Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit.

Sipas Lavrovit, bisedimet janë në vazhdim, por deri tani nuk kanë sjellë rezultate konkrete, ndërsa palët mbeten të hapura për dialog. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian ende nuk kanë reaguar për këto deklarata. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur në Kosovë po shtohen paralajmërimet për rrezikun e ndikimit rus në Ballkan.

Presidentja Vjosa Osmani dhe zyrtarë të tjerë e kanë cilësuar Serbinë si një dorë të zgjatur të Moskës në rajon. Serbia mban marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe është i vetmi vend që nuk ka vendosur sanksione për luftën në Ukrainë. Analistët thonë se Rusia ushtron ndikim përmes ekonomisë, dezinformimit dhe lidhjeve korruptive, duke rrezikuar veçanërisht Serbinë dhe Republikën Sërpska.

Nga Davosi, kryeministri në detyrë Albin Kurti paralajmëroi se Kosova mund të përballet me kërcënime nga Serbia, e cila sipas tij ka 48 baza pranë kufirit. Kurti theksoi se gjasat për konflikt janë të vogla, përveç rastit kur Kremlini jep urdhra për destabilizim.

Ai shtoi se Kosova tashmë ka ushtri më të fortë dhe shpenzon mbi 3 për qind të prodhimit të brendshëm për mbrojtje. Në këtë kontekst, mbështetja amerikane mbetet jetike për Kosovën, ndërsa Uashingtoni ka investuar mbi 2 miliardë dollarë në vend që nga viti 1998. /rtsh/

Share This