Rubio: Plani i paqes për Ukrainën, i hartuar nga SHBA-të

Rubio: Plani i paqes për Ukrainën, i hartuar nga SHBA-të

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se propozimi për paqe në Ukrainë është hartuar nga Shtetet e Bashkuara.

Ky qëndrim erdhi pas pretendimeve të disa ligjvënësve amerikanë se Rubio e kishte përshkruar privatësisht dokumentin si një “listë dëshirash ruse”.

Senatorët që po merrnin pjesë në Forum-in Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax thanë se Rubio u telefonoi atyre ndërsa udhëtonte drejt Gjenevës për bisedime me zyrtarët Ukrainë.

“Ai e bëri shumë të qartë se janë SHBA-të hartuesit e planit të paqes”, tha senatori Mike Rounds gjatë një konference për shtyp.

Vetë Rubio reagoi në rrjetin social X, duke theksuar se propozimi për paqen u hartua nga SHBA-ja.

“Ai ofrohet si një kornizë e fortë për negociatat e vazhdueshme. Bazohet në inputin e anës ruse. Por bazohet gjithashtu edhe në inputin e mëparshëm dhe të vazhdueshëm nga Ukraina”, shkroi Rubio.

Propozimi i hartuar me 28 pika, i raportuar së pari nga faqja e lajmeve amerikane Axios, duket se kërkon nga Ukraina të dorëzojë territor shtesë Rusisë, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të heqë dorë nga pretendimi për t’u bashkuar në NATO.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë homologut të tij ukrainj, Volodymyr Zelensky, afat deri të enjten për të dhënë përgjigje.

Zelensky tha se përballet me një zgjedhje të vështirë, konkretisht “humbjen e dinjitetit tonë ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç.

Të shtunën liderët e nëntë vendeve evropiane plus Japonia, Kanadaja dhe zyrtarët e lartë të BE-së, shprehën shqetësim për kufizimet e propozuara në forcën e armatosur të Ukrainës, duke paralajmëruar se ato do ta bënin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme.

Përveç kufizimeve në ushtrinë ukrainase dhe ndalimit të anëtarësimit në NATO, Moska dëshiron që gjuha ruse të ketë status zyrtar në Ukrainë. /rtsh/

Share This