
Rubio: Njohja e shtetit palestinez “e parëndësishme”, pa pëlqimin e Izraelit nuk ka shtet
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër vendimin e disa shteteve perëndimore për të njohur shtetin palestinez, duke e quajtur një hap “të parëndësishëm” dhe “kundërproduktiv”.
Në një intervistë për Fox News Radio, Rubio u shpreh se planet e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë për të njohur shtetin palestinez nuk kanë asnjë ndikim real.
“Është bezdisëse për disa, e parëndësishme. Nuk do të thotë asgjë. Asnjë nga këto vende nuk ka aftësinë për të krijuar një shtet palestinez. Nuk mund të ketë shtet palestinez nëse Izraeli nuk pranon,” tha Rubio.
Ai vuri në pikëpyetje vetë konceptin e shtetit palestinez duke theksuar se nuk ka qartësi për kufijtë, udhëheqjen apo strukturën qeverisëse të një entiteti të tillë. Rubio shtoi se kjo përpjekje, në vend që të kontribuojë për paqen, “shpërblen Hamasin” dhe e dekurajon atë nga arritja e një armëpushimi në Gaza.
“Mendoj se është kundërproduktive. Disa nga këto vende kanë elektorat të madh që po i bëjnë presion brenda vendit për t’u rreshtuar në këtë anë, pavarësisht pasojave gjeopolitike,” theksoi ai.
Deklarata e Rubio vjen në një kohë tensionesh të mëdha në Lindjen e Mesme, ku përpjekjet për një armëpushim në Gaza dhe zgjidhje afatgjate të konfliktit izraelito-palestinez mbeten të bllokuara.


