RTL promovon Shqipërinë: “Xhevahiri ballkanik”, një udhëtim që të mbetet në zemër

RTL promovon Shqipërinë: “Xhevahiri ballkanik”, një udhëtim që të mbetet në zemër

Radioja prestigjioze e Luksemburgut, RTL, i ka kushtuar një artikull të posaçëm Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga destinacionet më joshëse dhe ende të paeksploruara të kontinentit.

Sipas shkrimit, vendi ynë po shndërrohet në një nga pikat më të nxehta të industrisë turistike në Evropë. Artikulli vlerëson shumëllojshmërinë e peizazheve dhe ruajtjen e natyrës larg turizmit masiv.

Në veri, Alpet Shqiptare me Thethin dhe Valbonën ofrojnë shtigje për ecje, panorama të paprekura dhe fshatra autentikë me shtëpi guri. Në jug, Riviera shqiptare lavdërohet për plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës, që krahasohen me Maldivet për ujin e kristaltë dhe atmosferën e qetë.

RTL përmend gjithashtu Tunelin e Llogorasë si një projekt që ka përmirësuar qasjen në bregdet, ndërsa Parku Kombëtar i Vjosës vlerësohet si një nga pasuritë më të rralla natyrore në Evropë.

Tirana përshkruhet si një qytet i gjallë dhe modern që ruan gjurmë të së shkuarës, ndërsa qytete si Berati, Gjirokastra dhe Shkodra veçohen për trashëgiminë kulturore dhe historike. Shqipëria paraqitet si një vend i sigurt, mikpritës dhe me çmime të përballueshme për turistët. /rtsh/

Share This