
Fillon dërgimi më i madh i ndihmave nga ajri për Gazën
Sapo ka filluar dërgimi më i madh i ndihmave humanitare nga ajri në Gaza, duke përfshirë Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermaninë, Francën dhe Spanjën, raporton televizioni publik izraelit Kan.
“Avionët ushtarakë gjermanë kanë filluar të hedhin ndihma mbi Rripin e Gazës”, tha sot Ministria gjermane e Mbrojtjes, ndërsa Berlini u bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për të lehtësuar situatën e rëndë humanitare në territorin e izoluar palestinez.
“Avionët gjermanë të transportit hodhën 34 paleta që përmbanin pothuajse 14 tonë ushqime dhe furnizime mjekësore mbi zonë”, tha ministria.
Dërgimet nga ajri vijnë mes shqetësimit ndërkombëtar në rritje për përkeqësimin e kushteve në Gaza, të cilat Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se janë në prag të urisë.
Megjithatë, organizatat e ndihmës kanë kritikuar përpjekjet e ndihmës ajrore si kryesisht simbolike, duke argumentuar se ato janë joefikase dhe të paafta për të përmbushur nevojat masive në terren.
Kancelari Friedrich Merz pranoi ndikimin e kufizuar të kontributit të Gjermanisë, duke i quajtur dërgimet nga ajri një përpjekje “të vogël” në krahasim me shkallën e krizës.
Megjithatë, ai e mbrojti misionin si një gjest të nevojshëm.
“Është një sinjal i rëndësishëm: Ne jemi atje, ne jemi në rajon, ne po ndihmojmë”, tha ai më parë këtë javë.
Izraeli, i cili mban kontrollin mbi kufijtë e Gazës, ka kufizuar ndjeshëm shpërndarjen e ndihmave për muaj të tërë, duke lejuar pak ose aspak akses humanitar në territorin bregdetar. /atsh/

