
Roma-Milan, kështu u mbyll superderbi në ‘Olimpico’
Roma dhe Milani janë ndarë baras në kuadër të xhiros së 22-të të Serie A, në një ndeshje të zhvilluar në “Stadio Olimpico” që përfundoi me rezultat 1-1.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Romën që krijoi rastet më të mira për shënim. Megjithatë, Milani mbeti në lojë falë paraqitjes së shkëlqyer të portierit Mike Maignan, i cili ndali disa tentativa të rrezikshme të vendasve.
Në pjesën e dytë, ishte Milani që gjeti i pari rrugën e golit. Në minutën e 62-të, Koni De Winter realizoi pas një harkimi të saktë nga Luka Modric, duke i dhënë epërsinë kuqezinjve.
Roma reagoi shpejt dhe 12 minuta më vonë fitoi një penallti, pas një loje me dorë në zonë nga Davide Bartesaghi. Nga pika e bardhë ishte i saktë Lorenzo Pellegrini, i cili barazoi shifrat në 1-1.
Deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat tentuan të gjejnë golin e fitores, por pa sukses, duke u mbyllur takimi me ndarjen e pikëve.
Pas këtij barazimi, Milani ngjitet në kuotën e 47 pikëve dhe mban vendin e dytë në tabelë, ndërsa Roma avancoi një pozitë më lart, në vendin e tretë me 43 pikë, po aq sa Napoli që renditet i katërti.


