Rusia sulmon me dronë qendrat logjistike dhe portet në Ukrainë

Rusia sulmon me dronë qendrat logjistike dhe portet në Ukrainë

Forcat e armatosura ruse kanë kryer gjatë natës sulme të koordinuara me dronë ndaj qendrave logjistike dhe porteve në Ukrainë, si dhe ndaj njësive detare të përdorura nga forcat ukrainase. Lajmi është bërë i ditur sot nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Sulme janë raportuar edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku një person ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmet kanë shënjestruar qendra logjistike dhe porte në territorin ukrainas, të cilat, sipas Moskës, përdoren për furnizimin e forcave të armatosura të Ukrainës.

Rusia pretendon se gjatë sulmeve ka dëmtuar një qendër logjistike në Velyka Balka, në rajonin e Odesës, e cila, sipas saj, pranonte nga jashtë furnizime ushtarake të destinuara për Ukrainën.

Po ashtu, sipas autoriteteve ruse, në portin e Çornomorskut janë goditur një anije transporti dhe një traget që po transportonin materiale për ushtrinë ukrainase.

Autoritetet në Kiev deklaruan se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka rrëzuar 187 dronë të lëshuar nga Rusia.

Sipas tyre, dronët rusë kanë goditur objektiva në shtatë lokacione të ndryshme në territorin ukrainas. Ndërkohë, në tri zona të tjera është raportuar rënia e mbetjeve nga dronët e rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore. /rtsh/

Share This